Saturday, July 20, 2024

(Intervista) Flet , presidenti i Fedetatës moldave, Leonid Oleinicenco: “Moldavia fiton me çdo kusht, nuk ka rrugë tjetër”

Lexo

Presidenti i Federatës së Moldavisë, Leonid Oleinicenco në një lidhje direkte me studion e emisionit “Zona 30” në  RTSH

“Ne do të fitojmë edhe pse kjo mund të tingëllojë pak e çuditshme për ju. Unë jam i sigurt se do të fitojmë sepse kam shumë besim”. Kështu është shprehur presidenti i Federatës Moldave të futbollit, Leonid Oleinicenco në një lidhje direkte me emisionin “Zona 30” në RTSH në prag të sfidës së rëndësishme, Moldavi-Shqipëri që do të luhet në datën 17 nëntor në stadiumin “Zimbru”, Chisinau në Moldavi.

Z.Oleinicenco përshëndetje mirësevini në Zona 30 dhe faleminderit që pranuat ftesën tonë.

Përshëndetje, faleminderit për ftesën

Keni bërë një punë të mirë me skuadrën kombëtare, dua tju përgëzoj për arritjen e futbollit në Moldavi gjatë viteve të fundit.

Faleminderit shumë, ne kemi pasur shumë suksese dhe rritje gjatë viteve të fundit e gjatë eleminatoreve të fundit gjithashtu. Mendoj që jemi në rrugën e duhur me strategjinë që kemi pasur dhe qëllimet tona që kanë qenë të qarta që në fillim.

Jo vetëm me skuadrën kombetare, por dhe me klubet, Sherif Tiraspoli luajti në grupet e Champions.

Sigurisht që edhe klubet tona po bëjnë paraqitje shumë të mira në Europë. Së fundmi, Sheriffi që prej 6 vitesh po fiton titullin në Moldavi dhe madje numëron në total 22 tituj, është pjesë e fazës së grupeve të kompetiicioneve për klube në Europë. Kjo është një kënaqësi e madhe për ne. Sic edhe ju e dini, Sheriff disa vite më parë ka qenë edhe pjesë e grupeve të Champions League dhe tani luan sërish në grupet e kompeticioneve ndërkombëtare.

Një ndeshje e rëndësishme do të luhet të premten, e prisje që kombëtarja të kishte rritje gjatë sezonit?

Për të qenë i ndershëm, dua të them që të gjithë presidentët e federatave kanë dëshirën e madhe që ekipet e tyre të tregojnë rritje vit pas viti dhe sigurisht që të njëjtin objektiv kemi pasur edhe ne në Moldavi ku kemi punuar shumë me ekipin kombëtar. Vitin e kaluar ndryshuam pothuajse 80 % të stafit dhe tërhoqëm më shumë lojtarë të rinj në skuadrën e parë. Jemi shumë krenarë për këtë punë që kemi bërë. Sot që po flasim vetëm 3 apo 4 lojtarë kanë mbetur nga skuadra e një viti më parë sepse pjesa tjetër janë shumë të rinj. Kemi punuar shumë me skuadrën shpresa dhe praktikisht skuadra e parë sot është e përbërë nga lojtarë të ekipit të 21 vjecarëve.

Çfarë mendoni për kombëtaren e Shqipërisë, jeni përballur një herë gjatë eleminatoreve duke u mundur 2-0

Shikoni… Shqipëria ose më saktë të gjitha ekipet ballkanase luajnë futboll shumë të mirë. Dua të them të njëjtën gjë edhe për Kosovën dhe kjo ka qenë një surprizë e madhe për ne në këto eleminatore. Ju keni një skuadër shumë të fortë dhe në Kombëtaren tuaj merr kuptim fjala grup sepse jeni shumë të bashkuar. Ne presim një ndeshje shumë të vështirë me Shqipërinë. Ju ndoshta keni nevojë vetëm për një pikë por unë e di shumë mirë që Shqipëria do të luajë për të fituar si zakonisht por do të shikojmë se cfarë do të ndodhë.

 Keni njeë bilanc negativ me Shqipërinë, madje ne kemi fituar ndeshjen e parë historike në transfertë pikërisht në Moldavi. Cilat janë pritshmëritë për këtë ndeshje

Ne do të fitojmë edhe pse kjo mund të tingëllojë pak e çuditshme për ju. Unë jam i sigurt se do të fitojmë sepse kam shumë besim te Moldavia. Jemi përgatitur shumë mirë, kemi një klimë fantastike dhe të gjithë lojtarët kanë treguar  se janë shumë të fortë e të gatshëm për të luajtur një ndeshje të madhe. Fundjavën e kaluar 6 lojtarë të kombëtares tonë gjetën rrugën e rrjetës e madje shumë prej tyre janë mbrojtës. Unë sigurisht që me humor u kërkova që të ruajnë disa gola edhe për Shqipërinë.

Keni folur me trajnerin e Moldavisë, cilat janë planet për të ndalur lojtare si Asani, Bajrami të cilët kanë shënuar super gola gjatë eliminatoreve

Është puna e tij të drejtojë skuadrën dhe unë e kam si parim që nuk duhet të ndërhyj në punën e trajnerit dhe stafit teknik. Për të qenë i sinqertë nuk kam folur me të shumë për këtë ndeshje por ai e di shumë mirë se cilat janë pritshmëritë tona. Ne duhet ti fitojmë që të dyja ndeshjet që kemi tani. Ndeshja jonë do të startojë në orën 7 me orën tonë lokale dhe më vonë do të mësojmë për rezultatin e ndeshjes tjetër mes Polonisë dhe Cekisë ku varet shumë edhe fati jonë. Për këtë arsye ne duhet të mendojme vetëm për fitore në këtë ndeshje me Shqipërinë dhe unë mendoj që duhet të kemi të njëjtat pritshmëri edhe për ndeshjen me Republikën Ceke.

Cila është përqindja që i jepni skuadrës tuaj për tu kualifikuar në Europian, cilat jane shanset, jeni me 9 pikë

Unë mendoj që kemi shansin më të mirë që kemi pasur në histori dhe lojtarët do të luftojnë për ta shfrytëzuar këtë mundësi. Realisht, shanset tona janë 80 %. Unë jam shumë i sigurt te ekipi im i ri. Ju do ta shikoni në të ardhmen këtë skuadër të re e cila do të jetë edhe më cilësore.

E thashë në fillim, keni bërë një punë të mirë në krye të federatës. Fitore historike me Poloninë, barazim me Rep.Çeke. Çfarë ka ndodhur me futbollin në Moldavi gjatë këtyre viteve?

Nëse flisni për nivelin e klubeve ne kemi bërë një punë shumë të madhe duke ndryshuar formatin e kampionatit dhe të gjitha garave në përgjithësi. Ndryshuam rregullat e brendshme dhe tërhoqëm më shumë lojtarë të talentuar duke afruar shumë lojtarë më cilësorë në vendin tonë. Mendoj se kjo strategji na ka ndihmuar përvec faktit që kemi punuar shumë me ekipin kombëtar. Tani kemi në krye të stolit një trajner moldav i cili ka punuar me të rinjtë dhe i ka rritur ata  e tani ai është trajner i Kombëtares. Ndoshta të gjitha këto ndryshime kanë sjellë rezultatet pro më besoni, ky ekip do të tregojë më shumë në të ardhmen.

Keni shumë lojtarë të rinj në skuadër, kjo do të thotë që trajneri ka punuar shumë me gjeneratën e re dhe skuadren e 21-vjeçarëve

Trajneri aktual ka drejtuar më parë ekipin e 21-vjecarëve dhe siç e thashë më parë shumë lojtarë të atij ekipi janë sot në skuadrën e parë dhe jne jemi krenarë sepse kemi një bërthamë të shëndetshme për të ardhmen.

Mund të flasim për një brez të artë?

Nuk do të thoja se është një gjeneratë e artë pasi për ta thënë këtë duhet të presim e të mësojmë nëse do të kualifikohemi për në Euro 2024. Ndoshta pasi të kenë luajtur në Gjermani mund ti cilësojmë si gjenerata e artë e tani mund ti cilësojmë si një skuadër me djem të fortë e të rinj të cilët janë krenarë për vendin e tyre dhe duan ta tregojnë këtë në fushën e lojës.

Kush është lideri skuadrës?

Ne kemi shumë lojtarë që janë lider në skuadrën tonë. Kemi një grup të bashkuar por edhe dy lojtarë më të vjetër me më shumë eksperiencë se të tjerët. Ata janë shumë të rëndësishëm ashtu si edhe kapiteni e lojtarë të tjerë. 75 % e lojtarëve tanë luajnë në kampionatin vendas.

Kush është lojtari që të pëlqen më shumë tek kombëtarja jonë?

Le të flasim për këtë pas ndeshjes. Herën e fundit që më pëlqeu Shqipëria ose ndonjë lojtar i saj ne humbëm 2-0 prandaj nuk dua të flas tani për këtë gjë. Dua të them gjithashtu që në ndeshjen e Tiranës luajtëm shumë mirë por rezultati nuk na dha të drejtë.

Si është marëdhënia juaj me presidentin Duka?

Shumë e mirë dhe e kam uruar atë për zgjedhjen si zv/president i UEFA-s. Është shumë i zoti, shumë i zgjuar dhe ka shumë eksperiencë. Eksperiencën që ai ka e ndan sigurisht edhe me ne dhe jam krenar që kam një marrëdhënie të mirë me te.
Keni një parashikim për ndeshjen?

Ju thashë, ne do të fitojmë dhe nuk ka rëndësi se si do të fitojmë. Do të fitojmë me 2 gola.

Dhe nëse ne fitojmë?

Çfarë do të thuash me këtë? Ne do të fitojmë….

Zoti Oleinicenko ju uroj punë të mbarë në krye të federatës, shumë fat për ndeshjen me Shqipërinë dhe të falenderoj që ishe pjesë e emisionit “Zona 30”.

Faleminderit për ftesën dhe i uroj ekipit tuaj kombëtar ta shijojë këtë kampionat europian sepse ju nevojitet vetëm një pikë. Shpresoj që të shkojmë bashkë në Euro 2024.

Ështe kjo ndeshja më e rëndësishme që nga koha kur ke marrë drejtimin e federatës?

Nëse flasim për ekipe kombëtare, po është ndeshja më e rëndësishme e viteve të fundit për ne dhe ndoshta edhe më e rëndësishme do të jetë ajo në Republikën Çeke.

Zoti Oleinicenko ju falenderoj shumë

Faleminderit edhe ju…

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img