Monday, April 29, 2024

(Intervista) Ish futbollisti shkodran Roland Luçi, flet për fitoren e Vllaznisë ndaj Laçit dhe ecurinë e kuqebluve në këtë sezon futbollistik

Lexo

Sfidën gjysëmfinale të Kupës së Shqipërisë, Vllaznia-Laçi e ndoqi nga afër edhe ish futbollisti i njohur shkodran, Roland Luçi, i cili prej shumë vitesh jeton në Austri. Madje, përpara fillimit te ndeshjes, në nderim të tij, KF Vllaznia organizoi një ceremoni simbolike ku Kryebashkiakja e Shkodrës dhe Presidente e KF Vllaznia, Voltana Ademi së bashku me sponsorin Alban Xhaferi, në shenjë respekti për kontributin e dhënë për futbollin shkodran, i dorëzuan atij fanelën e Vllaznisë me uniformën e këtij sezoni futbollistik. Ndërkohë, pas ndeshjes, Luçi do të jepte përshtypjet e tija për takimin gjysëmfinal, Vllaznia-Laçi, si dhe ecurinë e kuqebluve në këtë sezon futbollistik.

Luçi, përjetuat  një ndeshje interesante dhe emocionuese, siç ishte gjysëmfinalja e Kupës së Shqipërisë, Vllaznia-Laçi, ndërkohë që përpara fillimit të takimit kishte një ceremoni nderuese për figurën tuaj sportive. Padyshim, i gëzuar dhe i kënaqur!

Po, ishin momente me të vertetë emocionuese. U ndjeva shumë mirë, Vllaznia, Klubi, Kryetarja e Bashkisë, Bashkia, më respektoi, më nderoi dhe i jam shumë mirënjohës për nderimin që më bënë.

Dhe, mund të themi që ishin dy gëzime në një ditë, fillimisht nderimi juaj dhe më pas fitorja dhe kualifikimi i Vllaznisë në finalen e Kupës së Shqipërisë.

Pikërisht, ishte një luftë e vërtetë sportive në fushën e lojës për këtë ndeshje, me shumë emocione, ishte edhe ai futbolli spektakolar, ama Vllaznia arriti në fund të fundit të kualifikohet dhe me meritë. Për Laçin, nuk e di, kam pasur përshtypjen se ka pasur më tepër cilësi se sa pashë në këtë përballje gjysëmfinale me Vllazninë. Ekipi shkodran, mund të themi, edhe nga zhvillimi i lojës, por edhe nga rastet e krijuara, e dominoi lojën dhe e meritoi plotësisht kualifikimin në finale. Dhe, besoj se edhe në finale do të bëjë më të mirën në mënyrë që të marrë pjesë në Kupat e Europës.

Në përgjithësi, për Vllazninë e këtij sezoni futbollistik, cili është mendimi juaj?

Nuk mund të them, dhe këtu dua të jem i sinqertë, që Vllaznia është ai ekipi që bën diferencën me ekipet e tjera, por në kuadrin e Kampionatit Shqiptar, unë nuk kam shikuar që mund të them në këtë drejtim se Vllaznia është ekipi më i mirë në këtë drejtim, por as po shoh ekip më të mirë se sa Vllaznia. Domethënë, në këtë kuptim, si në Kupë dhe kampionat, gjithçka mund të ndodhë, por në këtë ndeshje, Vllaznia ishte fituese e merituar.

Një Vllazni finaliste e Kupës së Shqipërisë dhe krejt afër fitimit të trofeut, ndërkohë që edhe në Kampionat është vetëm dy pikë larg kreut. Mendoni se mund të arrijë t’i marë të dy trofetë, Kupë dhe Kampionat në këtë sezon futbollistik?

Tashti, thonë që dy kunguj në një dorë nuk mbahen, por Vllaznia ka dy krahë(qesh), dhe pse jo nuk do të ishte keq, një një njërin krah Kupën dhe një në krahun tjetër Kampionatin. Dhe, nuk është hera e parë që Vllaznia i ka fituar të dy trofetë, kështu që uroj të ndodhë edhe kjo, pse jo?

Larg Shkodrës, larg Shqipërisë, sa ju mungon Vllaznia?

Jo, nuk më mungon Vllaznia në atë kuptimin që jam larg, sepse interneti, mediat, më bëjnë që të jem pranë. Domethënë që nuk është se jam larg Vllaznisë dhe zhvillimit të ngjarjeve të Shkodrës dhe të klubit Vllaznia.

Jo shumë larg në kohë e keni drejtuar këtë Vllazni. Keni nostalgji, apo edhe ndonjë projekt për t’iu rikthyer trajningut shqiptar në Superiore, pse jo edhe Vllazninë?

Jo, në atë drejtim jo, absolutisht, por gjithsesi mund të them se ndjehem mjaft mirë që gjithmonë të jem afër dhe pjesë e Vllaznisë, dhe, për këtë jam këtu sinqerisht. Në fakt, kur erdha isha pak në siklet se mos ndodhte ndonjë avari sepse do shikohej si ogur jo i mirë ardhja ime, por rezultoi pozitisht ardhja ime dhe për këtë jam edhe më i gëzuar.

Në mbyllje, do të ishte me interes, një mesazh i Roland Luçit për tifozërinë shkodrane, sportin në përgjithësi dhe Vllazninë në e futbollit në veçanti.

Për tifozët mendoj se duhet të jenë pak më qetë, për të ndikuar në ndihmën dhe mbështetjen e ekipit të tyre, sepse unë pashë disa reagime në tribunë, që edhe mund të mos jenë të tilla. Por, duke parë edhe gjestet e lojtarëve të Laçit, për të cilët unë nuk kam asnjë lloj mirëkuptimi, dhe për këtë kuptoj edhe reagimin e sportdashësve dhe tifozëve shkodranë. Por, siç e thashë, duhet të jenë pak më racional në mbështetjen e ekipit tonë.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img