Sunday, May 19, 2024

Liga e Kampioneve-Lacio mund Bajernin e Mynihut 1-0. Vendos goli i Imobile me penallti

Lexo

Pasi janë luajtur të martën takimet e para të dy prej çifteve të para të turit të 16-shes, që kanë shënuar edhe kthimin në fushën e blertë të Ligës së Kampioneve, të mërkurën janë luajtur edhe takimet e para të dy çifteve të tjera të kësaj faze të veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të kontinentit. Takimi më i spikatur i mbrëmjes ishte ai që erdhi në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në RTSH 1, ai midis Lacios dhe Bajernit të Mynihut dhe që u shoqërua gjithashtu edhe nga emisioni i posaçëm i Ligës së Kampioneve.

Sfida e luajtur në Stadiumin “Olimpiko” të Romës ka parë skuadrën italiane ta interpretojë më mirë takimin përballë bavarezëve që erdhën si favoritë, por që prodhuan pak në fushën e blertë. Për rrjedhojë, 45 minutat e para janë mbyllur me rrjeta të paprekura, ndërsa në ato të dytat, është Lacio që është më këmbëngulëse, edhe pse ka humbur Elseid Hysajn për shkak të një dëmtimi pas një ore lojë. Dhe këmbëngulja e vendasve do të shpërblehet në minutën e 68-të, kur Upamekano do të ndëshkohet me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të rrezikshme në zonë, dhe Lacio fiton një 11-metërsh.

Kështu, Imobile nuk gabon nga pika e bardhë dhe e kalon Lacion në epërsi, ndërsa minutat e mbetura të kohës së rregullt dhe ato shtesë do të shohin bavarezët që, edhe pse të mbetur me 10 lojtarë, do të përpiqen të gjejnë golin e barazimit, ndërsa italianët do të rrezikojnë, me atë të kundërsulmeve, të gjejnë edhe të dytin. Megjithatë, nuk ka më gola të tjerë deri në fund dhe Lacio mund Bajernin e Mynihut 1-0, duke marrë kështu një epërsi minimale, por mjaft të vyer, për ndeshjen e kthimit në Gjermani.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img