Thursday, May 9, 2024

Ndërron jetë legjenda bardheblu Nuri Bylyku, Presidenti Duka: Lamtumirë ikonë e futbollit!

Lexo

Është ndarë nga jeta në moshën 85-vjeçare ish-futbollisti i shquar i KF Tiranës, Nuri Bylyku, i cili shkroi historinë me klubin bardheblu në vitet 1960-1970. I lindur më 10 prill të vitit 1937 në Tiranë, ai u rrit në klubin kryeqytetas dhe me talentin e shpirtin e tij luftarak, arriti të bëhej një futbollist kyç në këtë skuadër, duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit e duke fituar disa tituj kampion, në një periudhë kur rivaliteti në kampionatin shqiptar ishte shumë i madh.

Bylyku ka vazhduar të jap kontributin e tij në klubin bardheblu edhe pas tërheqjes nga futbolli i luajtur, qoftë si trajner apo në role të ndryshme drejtuese.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i ka shprehur ngushëllimet familjes Bylyku për këtë humbje të madhe në një postim në rrjetet sociale. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar ka vlerësuar kontributin që ish-futbollisti i shquar ka dhënë ndër vite me një përkushtim shumë të madh.

“I trishtuar për ndarjen nga jeta të një figure të madhe të futbollit shqiptar siç ishte Nuri Bylyku! Mesfushori i shquar mbahet mend nga të gjithë futbolldashësit si një lojtar energjik e luftarak, që drejtoi Tiranën në fushë si kapiten drejt fitimit të disa titujve kampion në vitet 1960-1970.

Pas karrierës në futbollin e luajtur Bylyku nuk u shkëput për asnjë çast nga sporti magjik, duke dhënë kontributin e tij si trajner apo në rolet drejtuese në klubin kryeqytetas për vite me radhë.

Familja sot është në zi, pasi ka humbur një personalitet me shumë vlera, një ikonë, që shkroi historinë me klubin bardheblu dhe i dha gjithçka futbollit gjatë gjithë jetës së tij.

Në emër edhe të komunitetit të futbollit, dua t’i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Bylyku, të afërmve dhe miqve të tij. Kujtimi i tij do të mbetet i paharrueshëm! Lamtumirë Nuri Bylyku!”, – shkruan Presidenti Duka në statusin e tij.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img