Saturday, July 27, 2024

Nga: Martin DEDAJ ILIRIA ËSHTË NË GARË DERI NË FUND* – Intervistë e trajnerit Agim CANAJ –

Lexo

Në më pak se një javë në krye të Ilirisë së Fushë-Krujës, trajneri i njohur Agim Canaj njëherësh ish futbollist elitar i futbollit shqiptar, debutoi në një përballje të vështirë në Lezhë me kryesuesen Besëlidhja, teksa arriti të marrë një pikë, por edhe mund ta fitonte ndeshjen, pasi për hir të së vërtetës ekipi i Ilirisë, ishte më i organizuar në të gjithë repartet e fushës, zhvilloj një volum të madh lojë, por pa mundur të konretizoi në vijën sulmuese.

Trajneri Canaj vlerëson lojën e skuadrës së tij përballë Besëlidhjes, dhe deklaron se pavarësisht diferencës prej katër pikësh dhe përballjen që e pret në transfertë përballë Valbonës, shpreson në ndonjë gabim të kryesuesëve, duke qenë në garë për mundësinë e ngjitjes në kategorinë e parë.

Dy pikë të lëna apo një pikë e fituar në përballjen me Besëlidhjen?!…

– Lufta për kokën e grupit normalisht që është e madhe. Në ato pak ditë që kisha në drejtimin e skuadrës, u mundova të rregulloj disa gjëra. Por ajo që mua më pëlqeu në këtë ndeshje, ishte ajo që skuadra dha në fushë. Pasi djemtë dhanë shpirtin dhe luftuan me grintë të lartë sportive, gjatë gjithë lojës dhe për këtë dua ti falenderoj pa masë. Besëlidhja për 90-të minuta nuk gjuajti asnjëherë në portë. Në ishim shumë dominat në mesin e fushës dhe fazën sulmuese. Kjo bëri që Besëlidhja vetëm të mbrohej me të gjitha forcat. E di që nisur nga diferenca prej katër pikësh që unë gjeta në klasifikim, është një çikë e vështirë për tu arritur. Tek synimi. Gjatë lojës patëm dy momente shumë të mira, që mund të shënonim, si dhe një penallti në pjesën e parë, (që duhet parë), pasi mua nga distanca që e pashë mu duk penallti, megithatë albitri nuk e vlerësoi të tillë, por ajo që doja të thosha, se në këtë ndeshje ne dominuam totalisht nga fillimi deri në fund dhe mund dhe duhej ta kishim fituar këtë takim, për të qenë në garë për objektivin.

A do të vazhdoj Iliria të jetë pretendente për vendin e parë?

– Tashmë unë e thashë se është diferenca ajo që i përcakton gjërat. Ne bëmë gjithçka, sepse luanim me një kundërshtar direkt si Besëlidhja, kemi dhe një takim direk me Valbonën. Është një disi e vështirë kur një trajner vjen në një moment, që diçka është, por unë sot ndryshova shpirtin e garës, mënyrën e lojës në mesëfushë për tu organizuar dhe kapur sulmin, gjë e cila funksionoi mire por jo deri në fazën e fundit, për të arritur tek shënimi i golit. Katër pikë, normalisht është një distancë që nuk varet prej nesh, por ne do të vazhdojmë të besojmë dhe të luajmë fort, pavarësisht se ne i kemi ndeshjet jashtë me ekipet kryesore, që janë koka të grupit, që janë Besëlidhja që dolëm barzim dhe Valbona, me të cilë ndeshemi në Tropojë. Por mos harroni se jemi edhe ne, që duhet të mos gabojmë, për të përfituar nga ndonjë gabim i mundshëm nga kundërshtarët.

Diçka nga emocionet e Lezhës, kur keni luajur futboll?!

– Faleminderit që më ktheni në ato vite. Se Lezha më inspiron shumë gjëra shto këtu dhe faktin tjetër shumë të veçantë, se trajneri aktual i Besëlidhjes Dritan Smajli ka qenë ish futbollist i imi, në kohën kur kam drejtuar Vllazninë, dhe ruaj për të një konsideratë të jashtëzakonshme si një djalë dhe futbollist shumë i mirë, që synon të bëhet edhe një trajner i mire, gjë të cilën ja uroj me gjithë zemër dhe kam besim se do t’ja dalë. Gjithmonë në Lezhë kam qenë i mirëpritur, ashtu si dhe në këtë ndeshje, konstatova të njëjtën gjë, pasi tifozëria e zjarrtë lezhjane, nuk artikuloi asnjë sharje ndaj meje. Dhe për këtë i falenderoj pa masë ashtu si dhe për mesazhin që dhanë me atë mbështetje entuziaste që i dhanë ekipit të tyre, gjë të cilën do ta kishin zili edhe ekipet e superiores.

Konsiderata juaja për këtë plejadë futbollistësh, krahasuar me brezin tuaj?

– Të mos kthehemi në nostalgji, unë thashë konsideratën time për Smajlin por kam edhe shumë trajnera që janë aty që i kam stërvitur. Ajo që ka më shumë rëndësi është se i uroj përzemërsisht Smajlit, që ta vazhdoj me sukses karrierën si trajner dhe shpresojmë që të gjithë të luftojmë edhe nëpërmjet hyrjes direk apo Play-autit, të jemi pjesë e një kategorie më lart. Unë sot e pashë skuadrën time të motivuar dhe që u investua shumë në këtë ndeshje, por në fund të fundit një ndeshje nuk e përbën futbollin. Duhen shumë punë, shumë sakrifica për të arritur majen. Ne tani varemi vetëm nga gabimet e dy kryesuesëve të grupit që kemi përpara, ndërkohë pa harruar detyrimin tonë për të mos gabuar.

Sot kam parë një shpirt gare të jashtëzakonshme të vëllëzëve Selmani, cili është mendimi juaj për këta futbollistë?

– Padiskutim ata janë primarë në ekipin e Ilirisë. Ata i kam stërvitur edhe në ekipe të tjera dhe i njoh mirë. Janë lojtarë cilësorë, kështu që grinta e lartë sportive e tyre, është gjithmonë një frymëzim edhe për lojtarët e tjerë të ekipit.

Kënaqësi intervista dhe ju uroj suksese!

– Faleminderit dhe respekte juve dhe gjitha spartdashësve dhe qytetarëve të Lezhës

____________________

* Falenderoi mikun tim të hershëm pasionantin mediatik të caqeve të epërme z. Agostin Cini, për transmetimin e drejtëpërdrejtë nën komentin tim të ndeshjes, si dhe filmimet e kësaj interviste dhe foton që po publikoj, të datës 24.02.2024.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img