Kampionati Europian i Socca-s uli siparin mbrëmjen e sotme në “Shtëpinë e Futbollit”, me Spanjën që u shpall kampione e Europës pas triumfit në finalen ndaj Kazakistanit me rezultatin 2-1.
Turneu, i cili u organizua për herë të parë në Shqipëri, solli për disa ditë me radhë atmosferë festive, emocione dhe ndeshje spektakolare në mini-stadiumin e ndërtuar posaçërisht në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.
Në gjysmëfinale, Spanja siguroi kualifikimin për në finalen e madhe pas fitores minimale 1-0 ndaj Serbisë, ndërsa Kazakistani triumfoi 2-0 përballë Hungarisë, duke prerë biletën për sfidën vendimtare të turneut.
Finalja dhuroi spektakël dhe rivalitet të fortë mes dy skuadrave, por në fund ishte Spanja ajo që arriti të triumfonte 2-1 ndaj Kazakistanit, duke ngritur lart trofeun e Kampionatit Europian të Socca-s.
Organizimi i këtij eventi në Shqipëri përfaqëson një moment të rëndësishëm për zhvillimin dhe promovimin e minifutbollit në vend. Për disa ditë, “Shtëpia e Futbollit” u kthye në epiqendrën e Socca-s europiane, duke mirëpritur 28 kombëtare, tifozë dhe përfaqësues nga e gjithë Europa në një aktivitet që u karakterizua nga organizimi, atmosfera dhe niveli i lartë sportiv.


