Pas triumfit në SuperKupën e Shqipërisë, Tirana ia del me sukses edhe në kampionat. Ka arritur të marrë një fitore të lehtë ndaj Kastrioti. Ndeshja e vlefshme për javën e 13-të të Abissnet Superiore, u mbyll me shifrat 4-0 në favor të bardhebluve. Me 3-pikëshin e sotëm Tirana merr kryesim duke u shkëputur me një diferencë prej 2 pikësh ndaj Partizanit.
Golat e takimit u realizuan nga Xhixha, Kallaku, Patrick dhe Nikqi. Ishte Redon Xhixha ai që hapi llogaritë e ndeshjes në minutën e 14-të. Sulmuesi i kryeqytetasve u shfaq për të goditur nga pika e bardhë e penalltisë, të cilët në fakt e humbi pasi portieri Sali i kuptoi krahun, por topi iu rikthye sërish pas pasimit të Deliut. Nga fare pranë portës, Xhixha nuk mund të gabonte për të dytën herë dhe shënoi duke realizuar golin e tij të 11-të në kampionat. Bardheblutë nuk e ulën ritmin edhe pas golit të parë dhe tentuan sërish me anë të Hasanit dhe Ismajlgecit, por pa qenë të suksesshëm.
Gjithsesi, në të 36-tën minutë, Sherif Kallaku shfaqet në krahun e majtë dhe pasi merr kohën për të kalibruar goditjen, shënon golin e dytë të sfidës teksa portieri Sali nuk mundi të reagonte. Por, nuk përfundoi me kaq pasi një minutë para fundit të pjesës së parë, Patrick përfitoi nga një top i devijuar në zonë dhe shënoi të tretin për Tiranën.
Pjesën e dytë, vendasit administruan më së miri avantazhin dhe energjitë, madje gjashtë minuta para se të kompletoheshin 90-minutat, Dijar Nikqi realizoi edhe golin e katërt.
Pas këtij trepikëshi, Tirana ngjitet e vetme në krye të klasifikimit me 25 pikë, dy më shumë se Partizani i vendit të dytë. Nga ana tjetër, Kastrioti mbetet në vendin e shtatë me 15 pikë.