Thursday, May 30, 2024

Tirana në kaos, rrezikohet shitja e aksioneve. Një zyrë përmbarimore çel ankandin, klubi bardheblu mohon gjithçka

Lexo

Si një rrufe në qiellin bardheblu ka ardhur të shtunën lajmi se aksionet e klubit të Tiranës, që janë në pronësi të Refik Halilit, janë zyrtarisht në shitje dhe brenda pak ditësh, mbyllet ankandi që do të dekretojë pronarin e ri të Tiranës me 66% të aksioneve. Mësohet se një zyrë përmbarimore ka bllokuar aksionet e familjes Halili në klub për shkak detyrimesh ndaj palëve të treta dhe tashmë i kanë nxjerr zyrtarisht në shitje ato, me ankandin që mbyllet më datë 22 prill, pra në fillimjavën e ardhshme.

Por, në krahun tjetër, në mbrëmje ka ardhur edhe reagimi i klubit bardheblu. “Klubi i Futbollit Tirana, nëpërmjet këtij reagimi, kërkon të sqarojë opinionin publik për një dezinformim të qëllimshëm, që është përhapur në media, për sa i përket falimentit të klubit! – thuhet në reagimin e publikuar në profilet e Tiranës në rrjetet sociale, që më pas vijon: “Ky lajm, është pjesë e një skenari të qëllimshëm, totalisht spekulativ dhe me prapavijë dashakeqe dhe komploti, për të synuar tjetërsimin e aseteve të KF Tiran.

Ju bëjmë me dije se ekipi ligjor dhe stafi i klubit, është në dijeni të plotë të këtij skenari dhe ka marrë të gjitha masat, për ta bllokuar dhe denoncuar në të gjitha instancat ligjzbatuese përfshirë dhe hapat ligjorë te ndjekjes penale. Njëkohësisht, klubi thekson se këto janë çështje të cilat synojnë të dëmtojnë imazhin e Klubit më të suksesshëm në historinë e futbollit shqiptar, duke siguruar se nuk ka asnjë problem likuiditeti.

Asnjë veprim abuziv dhe asnjë person, kushdo qoftë ai, nuk do mund të arrijë të realizojë skenarë që dëmtojnë interesat e Klubit të Futbollit të Tiranës si në aspektin administrativ, ashtu dhe në atë sportiv. Sigurojmë të gjithë dashamirësit, tifozët, bashkëpunëtorët dhe partnerët, se Klubi i Futbollit Tirana, do të vazhdojë rrugëtimin e tij, për të arritur objektivat sportivë dhe se asgjë dhe askush, nuk mund dhe nuk do të cënojë ekzistencën, mbarëvajtjen apo edhe funksionimin e klubit”, – përfundon reagimi zyrtar i klubit bardheblu.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img