Sunday, May 5, 2024

“Tokio 2020”: delegacioni shqiptar, pjesë-pjesë

Lexo

Delegacioni olimpik shqiptar tashmë ka mbërritur në Tokio, atje ku nga 23 korrik deri më 8 gusht do të zhvillohen Lojërat Olimpike, të cilat do të vijnë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Në fakt bëhet fjalë për “pararojën” e këtij delegacioni, sepse do të duhet të bëjnë gati vendin e akomodimit në fshatin olimpik, që tashmë është hapur, për kuqezinjtë.

Kështu shefi i misionit të delegacionit shqiptar në Tokio, Kliton Muça, dhe pjesëtarja e personelit administrativ të kuqezinjve, Luna Methasani, ishin të parët që mbërritën në Tokio. E bashkë me ta dhe gjimnasti Matvei Petrov, i cili garën e tij në kalin me doreza e ka më 24 gusht, së bashku me trajnerin Alon Hasa. Një udhëtim i gjatë, të paktën sipas informacionit që ka sjellë Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, i cili ka zgjatur 19 orë deri në Tokio.

Jo vetëm kaq, por për këtë pjesë të delegacionit janë kryer dhe dy kontrolle shëndetësore, si dhe testet PCR 72 dhe 96 orë përpara fluturimit, apo dhe vaksinimi për të gjithë me dy dozat e kompanisë Pfeizer Biontek. E të shtunën në mëngjes është nisur dhe xhudisti i Tiranës, Indrid Çullhaj, së bashku me trajnerin e tij Shkurt Çullhaj. Xhudisti i peshës 66 kilogram konkurron më 25 korrik, së bashku me qitësen Manuela Delilaj, e cila garën e parë në Tokio e ka në pistoletë 10 metra ajër.

27 korriku do të jetë për notarin Kledi Kadiu në 100 metra stil i lirë. Një ditë më pas, pra më 28 korrik, në pedanë në peshën 73 kilogram do të jetë Briken Calja. 30 korriku do të jetë për garën e dytë të Manuela Delilajt në pistoletë sportive 25 metra, si dhe për notaren Nikol Merizaj në 50 metra stil i lirë. 31 korrik konkurron Izmir Smajlaj në kërcim së gjati, i cili nëse kualifikohet në finale do të garojë më 2 gusht.

Po më 31 korrik në pedanë në peshëngritje në peshën 81 kilogram Erkand Qerimaj dhe më 1 gusht në 3000 metra me pengesa Luiza Gega, që finalen, gjithnjë nëse do të kualifikohet, e ka më 4 gusht. Të gjitha këta sportistë, së bashku me presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, dhe sekretarin e përgjithshëm Stavri Bello do të vijnë pjesë-pjesë në Tokio, ndërsa më 23 korrik do të jetë ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike, atje ku flamurmbajtësit tanë do të jenë Briken Calja e Luiza Gega. Tanimë është gjithçka gati për “Tokio 2020”, kjo për delegacionin shqiptar.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img