Në prononcimin e dhënë menjëherë pas ndeshjes për Veriu Sport, trajneri i Veleçikut, Ardi Rustemaj është shprehur i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij në këtë ndeshje. Sipas tij, rezultati i barabartë ishte i drejtë, me Besëlidhjen më të mirë në pjesën e parë dhe Veleçikun në të dytën.
“Një ndeshje e barabartë sot ndaj Besëlidhjes dhe mendoj se barazimi ishte një rezultat i drejtë. Ekipi lezhjan ishte shumë më mirë se ne në pjesën e parë, ndërkohë që ne rrezikuam shumë më tepër në pjesën e dytë, ndaj e përsëris se barazimi 1 me 1 ishte një rezultat i drejtë.”, u shprehë Rrustemaj në fillim të prononcimit të tij.
I renditur në fundin e tabelës së klasifikimit, tre pikëshi do t’i bënte shumë punë Veleçikut, por edhe një pikë jep efektet e veta pozitive për ngjitjen në renditje, ndërkohë që në fazën e dytë priten përforcime në skuadër. “Për ne çdo pikë është pozitive në këtë situatë që gjendemi në tabelën e klasifikimit. Faktikisht, ne si Veleçik e kemi pasë paksa shortin e vështirë, ku në fillim të fazës kishim përballë ekipet e forta, ndërkohë që në vijim erdhen ekipet që rivalizojmë dhe ne dolëm tek rezultatet tona. Të shohim tashmë në fazën e dytë, kemi dëshirë të marrim dy-tre lojtarë për ta përforcuar skuadrën më shumë në funksionimin e reparteve.”, thekson tekniku koplikas.
Optimizmi i trajnerit Rrustemaj për pjesën tjetër të sezonit, është jo vetëm për mbijetesë në kategorinë e parë, por për të shkuar në mesin e tabelës. “Në pjesën e dytë të sezonit synojmë të largohemi sa më shumë nga “zona e ftohtë” e fundit të renditjes dhe objektivi ynë është aty tek mesi i tabelës së klasifikimit duke lënë poshtë ekipe si Orikumi, Erzeni, si dhe Partizanin B. Janë ekipe këto që besoj shumë se do t’i lëmë poshtë nesh në pjesën e dytë të sezonit.”, pohon Rrustemaj.
Dhe, në mbyllje, duke qënë se është ndeshja e fundit e vitit, tekniku koplikas përcjellë urimin e tij për festat e fundvitit:”Unë uroj festa të mbara, Krishtlindje të mbara një Vit i ri i mbarë, të gjithë beimtarëve katolikë si dhe të gjithë njerëzve, kryesisht dashamirësve të sportit si dhe sportistave, Gëzuar Vitin e Ri 2021 dhe Krishtlindjen.”
G. MARKU