I nisur rreth tre muaj më herët me turet eleminatore Turneu i Futbollit “Shkodra Youth Cup” në të cilin konkuruan 14 ekipe të shkollave të mesme të qytetit të Shkodrës, është mbyllur me ndeshjen finale mes gjimnazit “Oso Kuka” dhe “Adem Haxhia”.
Një finale kjo, që falë edhe përkujdesjes nga organizatorët, Këshilli Vendor Rinor me mbështetjen e Bashkisë Shkodër, u ndoq plot emocion nga një tifozëri e zjarrtë që shoqëronte ekipet respektive të finales, mes të cilëve ishin edhe nxënësit dhe mësuesit e shkollave përkatëse.
Pas një rivaliteti që shoqëroi takimin final, në përfundim fitues i ndeshjes doli skuadra e gjimnazit “Oso Kuka”, e cila u shpall kampione e këtij edicioni, duke marrë trofeun pas një paraqitjeje të suksesshme gjatë gjithë kompeticionit.
Në përshëndetjet e përcjella për të pranishmit, kryebashkiaku Benet Beci, Drejtorja e ZVA Shkodër, Brisela Kadija, Bekim Balaj-Kapiten i KF Vllaznia dhe Amarildo Belisha-Trajner futbolli, vlerësuan aktivitetin duke theksuar se Turneu solli përballje sportive, rivalitet pozitiv dhe mbi të gjitha tregoi pasionin e të rinjve për sportin dhe aktivitetet në grup, me synimin për të promovuar sportin, bashkëpunimin dhe angazhimin e të rinjve në aktivitete sociale e sportive.


