Monday, April 29, 2024

(Video) Fitorja e dytë radhazi për 21 vjeçarët kuqeblu. Mundin Partizanin 3-2, me golat e Delajt, Becit dhe Gomesh

Lexo

Vllaznia U21-Partizani U21  3-2

(Shënues: Antonio Delaj 10’, Dritmir Beci 54’, Bruno Gomes 90’/ Birçaj 25’, Shahaj 50’)

Pas fitores së javës së kaluar në transfertë me Elbasanin me rezultatin 1 me 2, falë golave të shënuar nga Ehren Hoxha dhe Kevin Dodaj, Vllaznia U21, regjistron një tjetër fitore, e dyta radhazi me fillimin e garës së vitit 2024, ndeshje e luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Reshit Rusi”të qytetit të Shkodrës.

Këtë radhë, fitorja ka ardhur në përballjen me ekipin e Partizanit, në një ndeshje plot rivalitet dhe emocione, ku mjafton të përmendim se goli i fitores i kësaj ndeshje u shënua pikërisht në minutën e fundit, atë të 90-tën, kur pas krosit të dhënë nga e djathta me protagonist Çobën është braziliani Bruno Gomesh që shënon me kokë duke i dhënë fitoren Vllaznisë me rezultatin 3 me 2.

Pa mbërritur tek goli i fitores, duhet thënë se Vllaznia e drejtuar nga trajneri Ergi Borshi ishte e para që kaloi në avantazh me golin e shënuar nga Antonio Delaj në minutën e dhjetë. Bukurinë takimit ia jep goli i barazimit shënuar nga miqtë në minutën e 25-të me anë të Birçajt.

Me barazimin 1 me 1 mbyllet pjesa e parë, ndërkohë që e dyta nis me gol për skuadrën mike. Është Shahaj që shënon në minutën e 50-të duke kaluar Partizanin në avantazh, 1 me 2. Reagimi i kuqebluve ka qënë shumë i shpejtë, pasi vetëm pas katër minutash është mbrojtësi Dritmir Beci, i cili i ardhur në ndihmë të sulmit shënon duke barazuar rezultatin, në 2 me 2.

Pas kësaj minute, ndeshja është e hapur nga të dyja skuadrat. Natyrisht, që kuqeblutë, në radhët e të cilët këtë ndeshje u aktivizuan edhe futbollistët e ekipit të parë, Beci, Delaj, Çoba, Gomesh, ushtruan presion në portën mike në kërkim të golit të fitores. Por, nga ana tjetër, edhe Partizani i drejtuar nga trajneri Gerti Haxhiu, bëri të njëjtën gjë, ku me disa sulme të rrezikshme kërcënoi portën kuqeblu.

Dhe, atëherë kur u mendua se ndeshja po mbyllej në barazim, 2 me 2, një këmbëngulje e Vllaznisë në këndoren e majtë e sposton topin në të djathtë, aty ku sulmuesi Mehdi Çoba harkon mjeshtrit në zonë duke i dhënë mundësi brazilianit Bruno Gomesh të shkëputet mbi të gjithë me kokë duke e dërguar topin në rrjetë.

3 me 2 për Vllazninë. Tre minutat shtesë të akorduara nga arbitri kryesor, megjithë përpjekjet e të dyja skuadrave, nuk ndryshuan asgjë duke fiksuar fitoren e Vllaznisë. Tre pikësh ky që e çon Vllazninë në kuotën e 19-të pikëve duke vijuar të mbajë vendin e katërt në renditje.

Dhe, në mbyllje, ia vlen të theksohet vemendja që vazhdon të tregojë për ekipet e Akademisë, Presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi, i cili, ashtu si edhe herët e tjera, edhe sot e ndoqi prej së afërmi të gjithë ndeshjen e 21 vjeçarëve në stadiumin “Reshit Rusi”.

(Video) Pamje nga ndeshja, Vllaznia U21-Partizani 21, e fituar nga kuqeblutë 3-2. Në vijim prononcimet e dy trajnerëveve kundërshtarë, Ergi Borshi Vllaznia, Gerti Haxhiu Partizani, si dhe futbollistit kuqeblu, Mersian Muliu.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img