Sunday, April 28, 2024

(Video) Kampionati Europian i “Futsal” 2024 për meshtarët. Shqipëria, nuk ia del në ndeshjen e parë, mundet nga Kroacia 0-2

Lexo

17 ekipet kombëtare të meshtarëve, të cilët kanë mbërritur mbrëmë në qytetin e Shkodrës që është mikpritësi i Kampionatit Euopian “Futsal” 2024, kanë nisur sot ndeshjet e tyre eleminatore të ndarë në pesë grupe.

Është zgjedhur pikërisht Shkodra, si djepi i artit e kulturës, futbollit, por edhe si djepi i harmonisë fetare, ndaj është dashur që këto tre elemente të vendosen së bashku për këtë aktivitet, ku përtej sportit, është dhe një mundësi për të promovuar Shqipërinë dhe vlerat e saj.

Përpos të tjerave, ky aktivitet i përmasave të mëdha Europiane, vjen për herë të parë në Shqipëri dhe konkretisht në Shkodër, edhe për faktin se topi i parë i futbollit në Shqipëri është sjellë në këtë qytet në vitin 1905 nga një prift maltez, i quajtur At Gut Ruter, i cili në fillim të viteve 90-të, Këshilli Bashkia i Shkodrës e dekoroi me titullin “Qytetar Nderi”.

Ndeshja hapëse e këtij Europiani ka qënë ajo e luajtur mesditën e sotme  në pallatin sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës në mes kombëtares së Shqipërisë dhe asaj të Kroacisë, dy skuadra këto, që së bashku me kombëtaren e Sllovenisë, bëjnë pjesë në grupin C.

Një ndeshje shumë luftarake e drejtuar nga dyshja e arbitrave të njohur shkodranë, Indrit Myrtja dhe Agron Kastrati, ku për hirë të së vertetës duhet thënë se kombëtarja kuqezi, e cilë përbëhet në pjesën më të madhe nga priftërinjtë e Kishës Katolike të Shkodrës, gjatë pjesës së parë kanë qënë më dominues duke e kërkuar me insistim golin e avantazhit.

Përpjekjet dhe rastet e njëpasnjëshme të krijuara nga kapiteni Dom Mark Shtjefni, së bashku me Dom Artu Jaku dhe Dom Mark Pashkja, u bllokuan nga portjeri kroat duke mbajtur të paprekur rrjetën e tij.

Ndërkohë, në krahun tjetër, dy minuta nga mbyllja e pjesës së parë, kombëtarja e Kroacisë, e cila shquhet për kualitetet e saj gjatë Europianëve të fundit, gjen golin e avantazhit duke e mbyllur pjesën e parë në avantazh, 0 me 1.

Pjesa e dytë nis përsëri me presionin e kombëtares së priftërinjëve kuqezi, të cilët të drejtuar nga trajneri i mirënjohur i futbollit shkodran, Armando Cungu, si dhe të mbështetur nga një publik i shumtë në numër mjaft entuziast, kërkon me këmbëngulje golin e barazimit. Dhe, pikërisht, kur pritej një gjë e tillë, vjen goditja tjetër e kroatëve që duke shënuar golin e dytë e mbyllin ndeshjen në fitimin e tyre me rezultatin 0 me 2.

Në këtë mënyrë, Kroacia hedh një hap përpara drejt kualifikimit në grup, ndërkohë që për Shqipërinë, vendimtare është ndeshja e dytë me Slloveninë, të cilën duhet ta fitojë për të pretenduar kalimin në turin tjetër.

Një gjë të tillë e pohoi pas ndeshjes, edhe vetë kapiteni i kombëtares kuqezi, Dom Mark Shtjefni, i cili, më tepër sesa rezultati, vlerëson së tepërmi mesazhin që përcjell ky Europian për opinionin shkodran dhe më gjërë.

GRUPI A: Austri, Bjellorusi, Bosnjë dhe Hercegovinë. GRUPI B: Sllovaki, Serbi, Hungari. GRUPI C: Kroaci, Shqipëri, Slloveni. GRUPI D: Portugali, Kazakistan, Rumani, Mali i Zi. GRUPI E: Itali, Republika Çeke, Poloni, Kosovë.

 (Video) Ndeshja Shqipëri-Kroaci, 0-2. Transmetim i plotë me koment nga Veriu Sport. Në vijim edhe prononcimet e Arqipeshkvit metropolitan Shkodër-Pult, Angelo Massafra, si dhe kapiteni i kombëtares së Shqipërisë, Dom Mark Shtjefni.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img