Vllaznia-Otrant Olimpik 2-0 (Shënues: Smajli 23’, Mala 74’)
Vllaznia: Qarri, Smajli, Juriç, Stojanoviç, Dragoshi, Cheshmedjiev, Krymi, Boshnjaku, Mala, Dodev, Balaj(U aktivizuan: Spahija, Alivoda, Çoba, Gruda, Pusi, Sala). Trajner: Migen Memelli. Zv.trajner: Ndriçim Shtubina, Ergi Borshi. Trajner i portjerëve: Ideal Lekiqi
Otrant Olimpik-Ulqin: Jasmin Agović, Bojan Marstijepović, Endrit Sefa, Miloš Mugoša, Balša Banović, Filip Kalačević, Yu Horike, Valentin Rudović, Halil Muharemović, Anđelo Rudović, Kristijan Škrelja(U aktivizuan: Arben Mecikukic, Irhad Popović, Benjamin Rexhoviq, Milun Joković, Elvin Marseni, Edin Gjecbitric, Edin Karamanaga, Ayumu Nishimura, Marko Burzanović). Trajner: Dejan Vukićević. Zv.trajner: Drago Marash, Senad Duraku. Trajneri i portjerëve Veljko Bajkoviq.
Arbitra: Rebi Gemi, Jena Mala, Arlind Kastrati(Shkodër). I katërt: Xhavan Kasneci(Shkodër)
2 me 0, me nga një gol në secilen pjesë, Vllaznia ka fituar miqësoren me Otrant Olimpik të Ulqinit. Ndeshja e luajtur mbrëmjen e së martës në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës ka qënë e dyta që kuqeblutë zhvillojnë në kuadrin e takimeve miqësore testuese për pjesëmarrjen në kampionatin shqiptar të Superiores që nis me datë 19 gusht.
Ndërsa ndaj Laçit, kuqeblutë u mundën të mërkurën e kaluar në shtëpi nga kurbinasit me rezultatin 2 me 3, këtë radhë fitorja ishte në anën e Vllaznisë, e cila jo vetëm fitoi me rezultat, por edhe dominoi me lojë.
Për t’u theksuar është mungesa e dytë radhazi në ndeshjet miqësore e kapitenit Ersin Hakaj, i cili po kalon një moment dëmtimi. Mungesën e tij, trajneri Memelli e kishte planifikuar ta zëvendësonte në pjesën e parë me Dragoshin dhe në të dytën me Flori Spahinë. Dyshe kjo e cila është në garë, se cila prej tyre do të jetë alternativa e dublimit të Hakajt në rast mungese në kampionat.
Ndryshe nga miqësorja me Laçin, gjatë së cilës u aktivizuan të gjithë futbollistët që janë në dispozicion, këtë radhë trajneri Memelli e trajtoi këtë miqësore si një ndeshje zyrtare duke vijuar të luajë gjatë të gjithë lojës me titullarët kuqeblu, ndërkohë që pjesën e dytë freskoi skuadrën, fillimisht me treshen Spahia, Alivoda dhe Çoba, ndërsa në minutat në vazhdim kishte hapësira edhe për Grudën, Pusin dhe Salen.
Sa i përket shënimit të golave, i pari i minutës së 23-të erdhi si rezultat i një këmbëngulje të Malës nga e majta, goditjen e fortë të të cilit nuk arrin ta zotërojë portjeri ulqinak Jasmin Agoviç duke u kthyer në fushë, aty ku Smajli nuk fal me atë gjuajte potente duke e dërguar direkt në rrjetën e Otrant.
Me rezultatin 1 me 0 për Vllazninë mbyllet pjesa e parë, ndërkohë që për minuta të tëra, avantazhi minimal vazhdon të qëndrojë në fuqi deri në minutën e 84-të. Minutë kjo që shoqërohet me një kros nga e majta me protagonist mbrojtësin Flori Spahia, i cili më herët tronditi pingulen e portjerit mik me një gjuajtje potente, ndërkohë që tashti, shërben mjeshtrisht në drejtim të Malës, i cili në hyrje të zonës ulqinake godet saktë me një kthese speciale duke vulosur rezultatin 2-0 në favor të kuqebluve.
Fitorja e Vllaznisë ishte e merituar, por duhen thënë fjalët më të mira edhe për ekipin Otrant Olimpik të Ulqinit të kategorisë së pare malazeze, i cili edhe pse kishte përballë një kundërshtar potent si Vllaznia, bëri një prezantim dijitoz në fushën e stadiumit “Loro Boriçi”. Mbështetja e komunës së Ulqinit shoqëruar me përkujdesjen e drejtuesve të klubit me në krye veteranin Skëndo Rexha, por edhe puna e një trajneri professional si Dejan Vukiçeviç, i cili ka drejtuar edhe Laçin në Superligen e Shqipërisë, bënë që Otrant të kishte momente shumë të mira, sidomos në pjesën e dytë, ku vetëm ndërhyrjet e shpejta të portjerit Qarri shpëtuan portën kuqeblu nga pësimi i sigurtë i golit në 3-4 momente deçizive. Një paraqitje kjo që garanton patjetër ngjitjen e ulqinakëve shumë shpejt në kategorinë e Superliges malazeze.
(Video) Vllaznia-Otrant Olimpik Ulqin 2-0. Transmetim i plotë, me koment i dy pjesëve të ndeshjes)
Gaspër MARKU