Në Pukë, janë të pakënaqur me gjendjen jo të mirë që po kalon skuadra e tyre, Tërbuni. Kjo, pasi, nga një skuadër pretendente për të kaluar në kategorinë Superiore, me rezultatet negative të regjistruara gjatë ndeshjeve të fundit, tashmë Tërbuni është përfshirë në grupin e skuadrave që rrezikojnë për të rënë nga kategoria.
Ishte kjo arsyeja, që presidenca pukjane vendosi të ketë ndryshime në drejtimin e skuadrës, ku tashmë në krye të pukjanëve është vënë trajneri Ramadan Ndreu. Me Ndreun në pankinë, Tërbuni, priti në shtëpi për javën e 17-të, ekipin e Besëlidhjes së Lezhës. Një derbi ky verior, ku Tërbuni kërkonte pikët e plota për t’u ngjitur në renditje, aty ku pak javë më parë ishte me grupin e skuadrave të kreut, dhe Besëlidhja e fundit në renditje, shumë e rrezikuar për rënien nga kategoria e parë.
Referuar fushës së lojës, Tërbuni paraqiti një superioritet të dukshëm, por pa arritur të konkludojë me shënimin e asnjë goli në portën kundërshtare. Nga ana e tjetër, edhe lezhjanëve i duheshin patjetër tre pikët e plota, por barazimi në transfertë duket rezultat i favorshëm për to.
Pas këtij barazimi, 0-0, skuadrat kanë mbajtur të njëjtat pozicione edhe pas javës së 17-të. Tërbuni, aktualisht mban vendin e nëntë në klasifikim me 21 pikë, ndërkohë që Besëlidhja vazhdon të jetë e fundit në renditje me 15-të pikë.
Tabelën e klasifikimit e kryeson Skënderbeu i Korçës me 33 pikë, pozitë të cilën e mori pas humbjes së djeshme që Dinamo pësoi për javën e 17-të me Tomorrin e Beratit.
(Video) Pamje nga ndeshja, Tërbuni-Besëlidhja, 0-0. Kampionati Kombëtar i kategorisë së parë