Friday, April 26, 2024

Zhgënjen Vllaznia e koshit, mundet thellësisht nga Teuta me 24 pikë diferencë

Lexo

Fitorja e ndeshjes së javës së kaluar ndaj Tiranës në “Qazim Dervishi”, ndeshje e cila shënoi edhe debutimin në stolin kuqeblu të trajnerit Afrim Bilali la të kuptohej se Vllaznia e koshit për meshkuj do të vijonte me rezultate pozitive. Dhe, momenti më i mirë për ta treguar këtë ishte ndeshja e së shtunës kundër një rivali direkt si Teuta, me të cilin ndante vendin e dytë me pikë të barabarta.

Dhe, në fakt, sfida që u luajt në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të qytetit të Durrësit për llogari të javës së 12-të të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për meshkuj-Kategoria Superiore, të paktën për pjesën e parë nuk shkoi keq për Vllazninë. Edhe pse durrsakët fitojnë periodën e parë me shifrat 27-18, Vllaznia e përmirëson ndjeshëm lojën në periodën e dytë duke arritur ta fitojë atë me shifrat 28 me 22. Por gjithësesi, Teuta e mbyllë pjesën e parë me avantazhin e tre pikëve më shumë se sa Vllaznia në shifrat, 49 me 46.

Durrsakët e drejtuar nga trajneri malazez, Milatoviç rikthehen në periodën e tretë me një lojë më të mirë se sa kuqeblutë, ku duke fituar dhjetëminutëshin e tretë me shifrat 29 me 23 e rrisin avantazhin në 78 me 67. Ka mbetur edhe një periodë për tu luajtur, dhe kur pritej që Vllaznia të reagonte me një lojë më cilësore, ajo bën të kundërtën.  Basketbollistët kuqeblu bien në gabime të njëpasnjëshme, ndërkohë që vendasit janë perfekt në veprimet e tyre, sidomos me preçizionin e gjuajtjeve për tre pikë. Kjo bën që Teuta ta thellojë edhe më shumë avantazhin ndaj Vllaznisë, aq sa në përfundim të periodës së katërt dhe të krejt ndeshjes, rezultati të ishte 101-77 në favor të Teutës me një diferencë prej 24 pikësh.

Me këtë fitore, Teuta përforcon vendin e dytë në renditje duke u shkëputur nga Vllaznia me dy pikë më shumë, me të cilën përpara kësaj ndeshje ishte me pikë të barabarta. Tabelën e klasifikimit e kryeson Goga Basket, e cila në javën e 12-të mundi Partizanin me rezultatin, 95-76.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img