Prononcimi i zëvendëstrajnerit të Vllaznisë, Ergi Borshi, pas ndeshjes, Elbasani-Vllaznia 3-1
“Mund të them që duhet të përgëzoj djemtë për ndeshjen që kanë zhvilluar se kanë bërë një ndeshje shumë të mirë, të luftuar, duke ditur që jemi të vetëm në këtë lojë, ne dhe tifozët, askush tjetër këtu. Loja nisi shumë mirë për ne, një episod që menduam jashtë loje, një detaj na prishi ekuilibrat. Djemtë nuk u dorëzuan, sidomos në pjesën e dytë në fillim ishin minuta shumë të mira, traversa e Muratajt, edhe goli, mund të ishin një pikë kthese. Por goli i tretë mendoj se na penalizoi shumë nga ana psikologjike. Mendoj se asgjë nuk ka mbaruar, jemi këtu dhe do i shkojmë të gjithë bashkë kësaj gare deri në fund.
Menduam ta nisim me 4-2-3-1, pastaj kaluam me 3-5-2 që është ai që kemi përdorur gjatë kampionatit,. Përtej lëvdatave për lojën, tre pikët i mori Elbasani, nuk mund të them që luajtëm mirë e prodhuam, por në fund rezultati ka vlerë. Elbasani u tregua cinik se mori atë që deshi, e ka bërë në shumë ndeshje këtë, bravo u qoftë. Ideja ishte të mos dalim pa pikë, hymë në lojë për të fituar, por gjërat nuk shkojnë gjithmonë siç e mendon. Dolëm në sulm për barazimin, në momentet e fundit nuk ka më taktikë, është egoja e dëshira e djemve për të gjetur golin e barazuar rezultatin e të merrnim atë që deshëm, kaluam me dy lojtarë në mbrojtje, në kërkim të golit. Por të shohim para, do i marrim ndeshjet një nga një e në “Final Four” do i shkojmë deri në fund duke luftuar me mish e me shpirt.
Është e vërtetë që deri diku ka ndikuar eliminimi nga Kupa, se objektivi ishte të fitojmë çdo ndeshje në Kupë e kampionat, duke pasur parasysh edhe si erdhi eliminimi në shtëpi përballë tifozëve tanë, është goditje psikologjike për ne. U munduam të mos e shfaqnim në fushë. Kur e nis lojën mirë, kur ke tre-katër raste, pëson gol që është i dyshimtë, edhe pse ishte krejt i rregullt, janë goditje psikologjike. Edhe goli i tretë që erdhi në momentin tonë më të mirë, goditje është edhe ai. Por duhet punuar më shumë në këtë pjesë, por djemtë kanë bërë një paraqitje fantastike të gjithë kampionatin dhe dua t’i falënderoj se janë të mrekullueshëm nga i pari tek i fundit.
Do shqyrtojmë gabimet dhe do nxjerrim mësime për të bërë më të mirën se na pret “Final Four”, janë edhe tre ndeshje në kampionat”, tha Borshi për RTSH pas ndeshjes.


