Java e 12-të e Kategorisë Superiore përcakton që ndeshja Vllaznia-Tirana të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”. Por, nisur nga proçesi i mbjelljes së barit në tapetin e stadiumit “Loro Boriçi” për të qënë gati në ndeshjen e Vllaznisë të futbollit femra, faza e grupeve në Champions League, takimi në fjalë është vendosur të spostohet në kryeqytet.
Nga sa bëhet e ditur, ka qënë një dakortësi mes dy klubeve, Vllaznisë dhe Tiranës, që me ndërmjetësinë edhe të Federatës Shqiptare të Futbollit, që sfida e parë që pozicionon Vllazninë pritëse, të konsiderohet zyrtarisht me Tiranën pritëse. Që do të thotë se në ndeshjen e radhës të këtij çifti që i takon Tiranës të jetë pritëse, të spostohet në Shkodër duke pasur Vllazninë pritëse.
Mbetet për t’u parë, se kjo lëvizje e detyruar, nga Shkodra në Tiranë, apo nga “Loro Boriçi” në “Selman Stërmasi”, në këtë fazë të kampionatit, në favor të cilës skuadër do të ndikojë për të marrë rezultatin pozitiv. Kujtojmë që bardheblutë janë kryesues pas javës së 11-të me 21 pikë, përballë një Vllaznie që është e treta me 18 pikë, një më pak se Partizani i vendit të dytë dhe tre nga kryesuesit e Tiranës.