Futbolli rikthehet në fushën e lojës. Në fakt, zyrtarisht sezonin e hapen ekipet e Superliges së moshave me ndeshjet e lujtura diten e shtunë ku surprizen e këndshme e bëri KF Shkodra që sfidoi Partizanin në kryeqytet duke e mundur me të dy kategoritë, U-17 dhe U-19, respektivisht 2-3 dhe 0-1. Ndërkohë, paraditja e së dieles vijon edhe me pjesen tjetër të ndeshjeve të Superliges së moshave, ndërkohë që në mesdite do të luhen ndeshjet e Kupës së Shqipërisë për kategorinë e të rriturve.
Në kalendarin e përcaktuar nga ana e Federates Shqiptare të Futbollit, të gjitha sfidat do të luhen në oren 13.30, mes të cilëve edhe çifti Vllaznia-Devolli. Edhe pse paraprakisht kishte hamendësime se kjo ndeshje mund të luhej në fushën sportive “Reshit Rusi”, drejtuesit kanë vendosur që ajo të luhet në tapetin e gjelërt të stadiumit “Loro Boriçi”, tapet i cili periudhen e fundit iu nënshtrua rikonstruksionit me rimbjelljen e barit.
Ashtu si edhe ndeshjet e tjera të mëparshme, deri në një vendim të dytë, edhe këto të këtij fillim sezoni do të vijojnë të luhen pa praninë e spektatorëve. Krahas ciftit, Vllaznia-Devolli që luhet për llogari të grupit B, çiftet e tjera të këtij grupi janë: Kukësi-Maliqi, Skënderbeu-Tomorri, Partizani-Iliria, Luftëtari-Elbasani, Apolonia-Turbina, Pogradeci-Oriku, Lushnja-Besa. Ndërsa në grupin A ku do të luajë edhe skuadra edhe Veleçiku i kategorisë së parë, kalendari i turit të parë është ky: Tirana-Shkumbini, Laçi-Vora, Teuta-Tërbuni, Bylis-Veleçiku, Flamurtari-Dinamo, Kastrioti-Burreli, Besëlidhja-Egnatia, Korabi-Erzeni.
Ndryshe nga ballafaqimet e sezonit të kaluar ku për të përcaktuar skuadren kualifikuese është dashur të luhen dy ndeshje, vajtje dhe e ardhje, situata e pandemisë e ka ngjeshur kalendarin e aktivitetit futbollistik duke vendosur që skuadra kualifikuese e këtij turi të përcaktohet me vetem një ndeshje teke. Pas mbylljes së ndeshjeve të turit të parë të Kupës së Shqipërisë do të nisë menjëherë kampionati kombëtar i Superliges dhe së bashu me të edhe ai i kategorisë së parë dhe të dytë, ku java e parë është programuar të luhet të mërkuren e ardhshme të 4 nëntorit.
Me këtë rast, Federata Shqiptare e Futbollit ka përcaktuar edhe oraret e ndeshjeve të kësaj jave duke fiksuar që sfida e stadiumit “Loro Boriçi” , Vllaznia-Apolonia të nisë në oren 16.45. Një orar ky që do të shoqërohet edhe me ndriçimin e prozhektorëve, çka i bënë edhe më komod futbollistët e të dyja skuadrave për të dhënë më të mirën e tyre në fushën e lojës. Në të njëjtën orar me çiftin Vllaznia-Apolonia janë planifikuar të luhen edhe dy çiftet e tjera, Teuta-Skenderbeu dhe Tirana-Kukësi, ndërkohë që për dy sfidat e tjera, Kastrioti-Partizani dhe Bylis-Laçi orari i luajtjes së ndesheve është 13.45.