Friday, April 26, 2024

“Dritë jeshile” për korçarët, Skënderbeu mund Egnatian, dhe këmben vendet me rrogozhinasit

Lexo

Tre pikë të arta për Skënderbeun të fituara përballë një kundërshtari direkt për mbijetese si Egnatia do të thotë një “dritë jeshile” më shumë për shpresat e shpëtimit nga rënia në kategorinë e parë. Fitorja në fjalë ka bërë që korçarët të barazohen me pikë me Egnatian, tashmë që të dyja me 11 pikë, por me golaverazh më të mirë, Skënderbeu është në vendin e tetë duke lënë në vendin e nëntë Egnatian.

Ndeshja e luajtur mbrëmjen e së mërkurën në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës për llogari të javës së 12-të të kategorisë Superiore ishte shumë e dyluftuar nga të dyja skuadrat. Edhe pse mysafire, skuadra rrogozhinase nga Rrogozhina ka dhënë sinjale më të shumta rrezikshmërie në portën vendase, sidomos me Imerin që tentoi golin nga larg, por goditja e tij ishte qendrore dhe pa problem për portierin Rexhepi në minutën e 17-të.

Gjashtë minuta më pas, Egnatia është pranë golit, teksa Demir Imeri, i cili ishte i pambuluar në zonë, godet me kokë, por topi rrok shtyllën horizontale. Është sërish Imeri që provon pas një gjysmë ore lojë, por pasaktësisht.

I befasuar me ritmin e fillimit të skuadrës mysafire, Skënderbeu reagon, dhe pas minutës së 30-të merr lojën në zotërim. Në minutën e 35-të, korçarët janë fare pranë golit, por Meksi nuk përfitoi nga një dalje të gabuar e portierit Gjuriç. Pas një rasti tjetër brenda pak minutash Mensah shpërdoron një pasim të mirë nga ana e djathtë e Meksit, teksa provoi të shënonte me një kthesë, por topi përfundoi jashtë.

Barazim 0 me 0 në 45 minutat e pjesës së parë, ndërsa e dyta nis praktikisht me gol, teksa Vitija goditi me kokë dhe gjuajta e tij u prit nga portieri Gjuriç. Mensah përfitoi nga topi i kthyer dhe shënoi me portë bosh. Pas dy minutash konsultim me dhomën e Sistemit e Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), goli cilësohet i vlefshëm nga kryesori Hamiti.

Në vijim, sfida Skënderbeu-Egnatia shënon një rast që haset rrallë në fushat e futbollit. Një shqetësim muskulor, që po e shqetësonte prej disa minutash, e ka detyruar gjyqtarin kryesor Erdorian Hamiti që në minutën e 60-të të tërhiqet nga drejtimi i ndeshjes duke ia lënë stafetën e drejtimit të ndeshjes gjyqtarit të katërt, Beqiraj.

Minuta këto, që për Skënderbeun kanë qënë pozitive, jo vetëm në administrimin e avantazhit, por ndërkohë, në minutën e 87-të të shënojnë edhe golin e dytë dhe të sigurisë së fitores me shifrat 2 me 0 me autor Elvi Berishën.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img