Tuesday, April 23, 2024

EKSKLUZIVE/ “Në Kukës u ndie lodhja”, ish-mesfushori Patushi: Vllazni, ja si rikthehesh kampione

Lexo

Sajmir Patushi është një nga protagonistët e titullit të fundit të Vllaznisë në vitin 2001.

Që atëherë kanë kaluar 23 vjet dhe shkodranët janë afër trofeut të lakmuar, por nuk duhet të gabojnë tani, në pjesën më të rëndësishme të sezonit. Për Patushin, Vllaznia ka shanse të mëdha që të ngrejë trofeun në fund, por ai sugjeron për drejtuesit që skuadra të freskojë pak grupin, duke aktivizuar më shumë lojtarët e rinj. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-mesfushori kuqeblu uron me shpirt të shohë Vllazninë kampione. Ai komenton ecurinë e kësaj skuadre gjatë sezonit, humbjen në Kukës dhe atë çfarë mund të ndodhë në “Final 4”, ku çështjen e tifozëve nuk e sheh fare si një problem.

KRAHASIMI – Për ndryshimin mes kësaj Vllaznie dhe asaj të titullit të fundit, Sajmir Patushi shprehet: “Janë dy Vllazni shumë të ndryshme, nuk diskutohet dhe vështirë të bësh krahasime. Vllaznia e këtij sezoni ka pasur uljengritjet e veta, sepse është një skuadër e ndërtuar rishtazi dhe me djem të rinj. Kanë kaluar vërtet shumë vite, më shumë se dy dekada pa një titull janë shumë për këtë skuadër. Mendimi im është se pas ish-presidentit të ndjerë Myftar Çela, Vllaznia nuk ka pasur një president, apo një drejtues, që ta çojë te titulli. Uroj me shpirt që të dalë kampione këtë sezon”.

HUMBJA NË KUKËS – Për humbjen që shkodranët pësuan në Kukës, pas një serie të gjatë rezultatesh pozitive, Patushi e ka një shpjegim: “Mendoj se ishte një humbje që erdhi nga lodhja fizike e lojtarëve, sepse Vllaznia deri tani ka luajtur me të njëjtët titullarë. Nuk mund ta përballosh një kampion me vetëm 11 lojtarë, prandaj duhen 18. Nuk besoj se ajo humbje në Kukës do ta çekuilibrojë, sepse edhe vetë formula e këtij kampionati është e tillë, por te Vllaznia duhet të marrin masa që të mos kenë probleme në vazhdim. Duhet të freskojnë skuadrën me djem të rinj, që në Shkodër i kanë me shumicë. Lojtarët e stolit duhet të marrin më shumë minuta që t’i shërbejnë skuadrës në këtë pjesë delikate të sezonit”.

FAKTORI BALAJ – Patushi shprehet më tej se Vllaznia ka krijuar stabilitet me trajnerin Qatip Osmani në krye, ndërkohë që veçon impaktin e kapitenit Bekim Balaj: “Asnjë skuadër e Superiores nuk e ka një lojtar si Bekim Balaj. Nuk ka asnjë numër 9 si ai në kampionatin shqiptar dhe pa diskutim kontributi i tij te Vllaznia është mjaft i madh. Është shembulli më i mirë që mund të ketë për të rinjtë, sepse sakrifikon shumë në fushë, përveç cilësive që ka dhe i dimë të gjithë. Jam i bindur se Balaj vrapon më shumë se lojtarët e rinj në skuadër dhe kur t’i sheh që kapiteni i skuadrës sakrifikon aq shumë, atëherë motivohesh dyfish për të dhënë gjithçka nga vetja”, thekson ish-futbollisti matjan.

MESFUSHA – Si një ekspert i mesfushës, për këtë repart të Vllaznisë Patushi thotë: “Më pëlqejnë mesfushorët e Vllaznisë, si Alivoda, ashtu edhe Krymi me Boshnjakun. Të mos harrojmë se për herë të parë luajnë bashkë dhe nuk është e lehtë. Në fillim mund të kenë pasur vështirësi, si gjithë skuadra, tani janë më solidë”.

FINAL 4 NË TIRANË – Fakti që ndeshjet e “Final 4” zhvillohen në Tiranë, sipas Patushit, nuk do të ketë ndikim në verdiktin final për sa i takon titullit. “Nuk mendoj se do të jetë problem. Kam bindjen se kur të jetë puna e titullit në lojë, tifozët e Vllaznisë do të jenë të barabartë në numër në Tiranë me ata të skuadrave të tjera. Ndoshta mund të ndikojë 5%, por nuk do të jetë vendimtar”, pohon ish-mesfushori.

TITULLI – “Sa shanse do të ketë Vllaznia për titullin kampion? Varet me kë do t’i bjerë shorti në “Final 4”, ku besoj se do të jetë patjetër. Mendoj se shanset në atë moment mund të jenë të barabarta për të gjithë dhe skuadra që do të shkojë më solide në ato ndeshje, do të fitojë. Unë uroj që titulli të kthehet në Shkodër pas kaq shumë vitesh”, ka përfunduar Sajmir Patushi.

Fatjon RUPI

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img