Java e parë e sezonit të ri në Kategorinë e Parë mbyllet sot me tre përballje interesante të cilat do të zhvillohen të gjitha në orën 16:00.
Pas ndeshjeve të luajtura die radha i vjen gjashtë skuadrave të tjera për të bërë debutimin e tyre në edicionin 2026-2027.
Vëmendja më e madhe pritet të jetë në Kavajë, ku Besa do të përballet me Flamurtarin.
Dy emra me peshë dhe histori në futbollin shqiptar zbresin përballë njëri-tjetrit që në javën e parë, në një sfidë që pritet të japë sinjalet e para për ambiciet e tyre gjatë sezonit.
Të dyja skuadrat synojnë të jenë konkurruese dhe të qëndrojnë pranë zonës së kreut,ndaj një nisje pozitive do të kishte rëndësi të madhe si në aspektin e pikëve ashtu edhe në atë psikologjik.
Një tjetër takim interesant do të zhvillohet në Peshkopi aty ku Korabi do të pres Orikun.
Vendasit do të kërkojnë të shfrytëzojnë faktorin fushë dhe mbështetjen e tifozëve për ta nisur kampionatin me tri pikë ndërsa Oriku udhëton me objektivin për të mar rezultat pozitiv në një transfertë tradicionalisht të vështirë.
Në të njëjtën orë do të luhet edhe sfida Burreli-Kastrioti.
Dy skuadrat do kërkojnë ta hapin sezonin në mënyrën më të mirë dhe përballja pritet të jetë e luftuar me rëndësi të veçantë për krijimin e ritmit që në javët e para të kampionatit.
Duke qenë vetëm fillimi i sezonit diferencat mes skuadrave ende nuk jan krijuar dhe çdo pikë e marrë në start mund të ketë rëndësi të madhe për vazhdimësinë.
Pikërisht për këtë arsye tre ndeshjet e sotme pritet të zhvillohen me intensitet pasi secila skuadër kërkon të vendosë menjëherë bazat për objektivat e saj.
Me përfundimin e këtyre takimeve do të kompletohet edhe java e parë e Kategorisë së Parë, duke dhënë një panoramë më të qartë mbi nisjen e sezonit dhe skuadrat që kanë hyrë më mirë në garë.
Fatos LAMAJ


