Thursday, April 18, 2024

Kursi i video-analistit / Flasin pjesëmarrësit: Profesion inovativ e shumë i rëndësishëm për stafin e çdo skuadre

Lexo

Ka nisur edicioni i radhës i kursit të FSHF-së për video-analistë futbolli, që po kthehet në një profesionet më të kërkuara në botën e futbollin modern dhe një figurë kyçe për stafin teknik të një skuadre.

Ashtu si edhe në edicionet e kaluara interesimi ka qenë i madh për t’u bërë pjesë e këtij kursi formimi, ndërkohë që niveli i organizimit është i lartë dhe fakti që licensa e FSHF-së njihet kudo ka bërë që shumë profesionistë të futbollit të bëhen pjesë e këtij programi. Ai i video-analistit është një profesion inovativ në botën e futbollit që po bëhet gjithmonë e më i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për çdo staf.

Disa prej pjesëmarrësve të këtij edicioni kanë shprehur edhe vlerësimet e tyre për ecurinë e kursit dhe rëndësinë që ka kurs formimi për vazhdimësinë e karrierës së tyre në botën e bukur të futbollit.

Ardi Kabashi vjen nga Suhareka e Kosovës, ku punon si video-analist te klubi i FC Ballkanit dhe e shikon kursin si një mundësi shumë e mirë për t’u rritur profesionalisht në këtë rol inovativ.

“Aktualisht ushtroj profesionin e video-analistit me klubin e FC Ballkani. Në çdo klub tashmë është bërë shumë i nevojshëm roli i video-analistit dhe ndaj vendosa të marr pjesë në këtë kurs e të pajisem me një licensë, që njihet kudo në botë, dhe të përftoj sa më shumë njohuri të reja për këtë profesion. Niveli i kursit është shumë i mirë, udhëheqësi i programit Alarico Rossi është shumë i qartë në shpjegimet e leksioneve.

Pas këtij kursi mendoj se do ta kem më të lehtë karrierën time në të ardhmen si video-analist, duke qenë i pajisur edhe me këtë licensë. Për momentin vazhdoj punën me klubin më të mirë të Kosovës, duke marrë pjesë edhe në fazën e grupeve të UEFA Conference League dhe sigurisht besoj që në të ardhmen të ngjis hapat e karrierës, qoftë në klubin ku jam, qoftë duke punuar me klube më të njohura”, -thotë Kabashi për Fshf.org.

Ndërkohë, pjesë e kursi është edhe ish-futbollisti korçar, Gentjan Liçi, i cili punon prej disa vitesh në stafin teknik të Skënderbeut si ndihmës trajner dhe që tashmë synon të specializohet edhe në fushën e video-analizës.

“Unë vij nga ekipi i Skënderbeut, në vitet e fundit kam punuar në rolin e ndihmës trajnerit dhe tani vendosa të marr pjesë në kursin e video-analistit të organizuar nga FSHF. Ka ardhur një kohë që roli i video-analistit është shumë i rëndësishëm për stafin teknik të një skuadre futbolli, duhet të jesh i aftë të lexosh sa më mirë përmes statistikave lojën e ekipit tënd dhe atë të kundërshtarit dhe të përpunosh të dhënat për të përgatitur sa më mirë për ndeshje apo për mënyrën e stërvitjes gjatë një sezoni.

Është shumë e rëndësishme që përveç kursit të gjithë ne pjesëmarrësit të vazhdojmë ta marrim njohuri të reja në lidhje me këtë profesion, që zhvillohet shumë shpejt sepse nuk është e thjesht që për një kohë të shkurtër të kesh përftuar të gjitha dijet. Është një proces që kërkon studim të vazhdueshëm për t’u përmirësuar që të jesh me hapin e kohës. Kam kohë që punoj në fushën e trajningut, por përmes video-analizës mund të kuptosh shumë aspekte të futbollit që i shikon me një sy tjetër dhe në mënyrë më profesionale. Besoj se është një kurs formimi që do ta na ndihmojë shumë”, – shprehet Liçi në prononcimin e tij.

Për Erjon Velon profesioni i video-analistit e ndërthur në mënyrë të përkryer pasionin e tij për futbollin dhe analistin e të dhënave, ku ai është i specializuar. Sipas tij, aspekti teknologjik në futboll po merr një rëndësi shumë të madhe për mënyrën se si përgatitjen ndeshjet dhe seancat stërvitore.

“Unë jam asistent arbitër në Kategorinë e Parë, ndërkohë bëj edhe analistin e të dhënave për në kompani të madhe. Është dëshira ime, pasioni im që të merrem me pjesën teknologjike të sportit dhe mënyra më e mirë për t’u marrë me pjesën teknologjike të futbollit është video-analiza, që ka normalisht lidhje me data-analizën dhe taktikave të ndryshme të një skuadre.

Alarico është një nga më të mirët në këtë fushë edhe jashtë Shqipërisë, niveli i kursit është i lartë dhe është vlerësuar shumë, si nga klubet vendase ashtu edhe nga klube të Kosovës, që kanë sjellë pjesëmarrës në këtë kurs formimi. Më pëlqejnë të dyja, si analiza e të dhënave ashtu edhe sporti, dhe e shikoj si një pikë ku lidhet pasioni me punën time. Besoj se mund të kem një të ardhme shumë të mirë si video-analist. Kam shumë dëshirë ta praktikoj dhe pastaj me kalimin e kohës dua të shoh se si do të jetë ecuria”, – theksoi Velo për Fshf.org.

Video-analisti bën kërkime, mbledh, analizon dhe siguron të gjitha llojet e informacionit për stafin e tij, lojtarët dhe drejtuesit.

Kursi i pestë për video-analistë i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit po zhvillohet në datat 8-12 maj në Shtëpinë e Futbollit në Tiranë. Në fakt, ky program nuk i drejtohet vetëm atyre që synojnë të bëhen video-analistë, por të gjithë atyre personave që punojnë aktualisht në botën e futbollit dhe kanë dëshirë të thellohen në studimin e sportit më të bukur në botë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img