Sunday, May 5, 2024

Nis në janar kursi “UEFA B Goalkeeping”, ja çfarë duhet të dini për risinë më të fundit të FSHF-së

Lexo

Kursi për trajnerët e portierëve “UEFA B Goalkeeping” i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit do të nisë më 16 janar si një tjetër risi cilësore sa i përket edukimit dhe kualifikimit të trajnerëve që punojnë në futbollin shqiptar.

Departamenti i Edukimit në FSHF, përmes krijimit të Sektorit të Zhvillimit të Portierëve, synon të forcojë njohuritë e trajnerëve të portierëve, duke i ofruar atyre sa më shumë burime informacioni rreth stërvitjes së portierit modern, dhe njëkohësisht të zhvillojë fokusin në analizën e performancës së portierëve, zhvillimin e të rinjve dhe teknikat e stërvitjes konjiktive.

Lektorë në këtë kurs ndër të tjerë do të jenë Prof. Antonello Brambilla, i cili ka punuar me klube në Serie A, Premier League e Ligue 1 si edhe Ilir Bozhiqi, trajner i portierëve në Kombëtaren A.

Kursi do të jetë i ndarë në dy pjesë, me seanca teorike dhe praktike në fushë.

Pjesëmarrësit në këtë kurs, që do të jenë përfaqësuesit e ekipeve Kombëtare e zonave rajonale, klubet e futbollit dhe akademitë, do të kenë mundësinë të ballafaqohen me ide praktike dhe teorike të avancuara rreth stërvitjes së portierëve. Për më tepër do të kenë mundësinë të njihen edhe me idetë e reja rreth faktorëve përtej fushës që kontribuojnë në zhvillimin dhe performancën e portierit. Kursi është interaktiv dhe pjesëmarrësit do nxiten të jenë të përfshirë përgjatë gjithë temave dhe moduleve.

Ky kurs përbëhet nga katër blloqe 3 ditore përgjatë 4 muajve, ndërsa pjesëmarrësit do vlerësohen përmes një përzierje me të mësuarit në mënyrë të pavarur dhe seancave praktike. Pjesëmarrësve do t’u kërkohet të zhvillojnë dhe plotësojnë një program zhvillimi personal, duke regjistruar mënyrën se si ata planifikojnë, aplikojnë dhe rishikojnë seancat e tyre. Ky program zhvillimi personal do të verifikojë njohuritë e pjesëmarrësve për parimet e portierit në praktikën individuale dhe ekipore.

Gjithashtu, nëpërmjet këtij kursi do të punohet njëkohësisht edhe për të rritur sa më shumë numrin e portierëve nëpër akademi dhe klube si edhe për të pasur portierë sa më cilësorë në të ardhmen. Portieri është një rol delikat dhe kërkon vëmendje të veçantë dhe për këtë arsye në vitet e ardhshme, qëllimi i FSHF-së është që të mbështesë akademitë që ta bëjnë rolin e portierit prioritet, që të rritet si rol edhe në kontekst sasior, por edhe në kontekst cilësor.

“UEFA B Goalkeeping” i bashkëngjitet programeve të edukimit që FSHF ka implementuar prej kohësh në edukimin dhe kualifikimin e stafeve teknike, duke i dhënë një rëndësi të veçantë edhe rolit të trajnerit të portierëve si një figurë kyçe në stafin teknik të një skuadre futbolli.

Sektori i Zhvillimit të Portierëve është i fokusuar pikërisht në edukimin e trajnerëve të portierëve në të gjitha nivelet e moshave të klubeve dhe akademive me synimin final për të përgatitur sa më shumë portierë cilësore në plan afatgjatë.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img