Thursday, October 24, 2024

Poloni-Shqipëri 4-1. Kuqezinjtë e nisin mirë, por shthuren, sidomos në pjesën e dytë. Levandovski bën diferencen në fushën e lojës.

Lexo

Edhe pse ndeshja Poloni-Shqipëri e luajtur mbrëmjen e së enjtes në Stadiumin “Narodovi” të Varshavës, e vlefshme për Grupin I të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022” fillon me gol në portën tonë kur në të 13-tën minutë ndëshkohemi me golin e shënuar nga Levandovski, kuqezinjtë tanë arrijnë të rikuperojnë shpejt, jo vetem me lojë, por në të njëjtën kohë kundrapërgjigjen me gol duke barazuar në minutën e 25-të me anë të Sokol Çikallashit.

Minutat e mirë për Shqipërinë vijojnë të jenë prezente në fushën e lojës dhe me pak fat edhe mund të shënonin përsëri, pasi mundësitë ishin me dy-tre raste radhazi në portën kundërshtare, por ndërhyrjet e portjerit vendas Zheznji e shpëtojnë Poloninë nga pësimi i golit të dytë. Në momentin më të mirë të kombëtares tonë, janë polakët që shënojnë golin e dytë, këtë radhë me anë të Buksa 44′ duke bërë që pjesa e parë të mbyllet me  avantazhin e Polonisë me rezultatin 2 me 1.

Një nisje me veprime sulmuese të 45 minutave të dyta nga ana e kuqezinjëve, jep sinjale pozitive që Shqipëria mund të barazojë sërishmi, ashtu siç bëri përkohësisht në pjesën e parë. Por, edhe pse realisht ishin minuta për tu vlerësuar, ato u harruan shpejt, pasi polakët arrijnë të marrin shumë shpejt frenat për të mos i lëshuar deri në fund të ndeshjes.

Pësimi i golit të tretë me autor Krishoviak 54′, pas atij depërtimi energjik të Levandovskit në fundoren e djathtë i jep një goditje të rëndë skuadrës kuqezi. Përpjekjet në kampin kuqezi për të rihapur ndeshjen nuk munguan, sidomos me një rast të Manajt, i cili pengohet brenda zonës në depërtim e sipër. Kuqezinjtë kërkojnë me të drejtë penallti duke reaguar në grup tek arbitri, por në “kompensim” marrin një karton të verdhë ndaj Manajt, protestat e të cilit ishin më energjike.

Për t’u theksuar është se edhe pse momenti ishte shumë i dyshimtë për penallti, nuk pati asnjë sinjal verifikimi në mes sistemit VAR dhe arbitrit kryesor siç ndodhë në të tilla raste. Dhe, duhet theksuar se ishte një moment shumë i rëndësishëm për fatet e ndeshjes, pasi kemi të bëjmë me minutën e 65-të që me një gol të Shqipërisë ndeshja mund të kishte marrë tjetër pamje.

Reja bën përpjekjet e rastit duke hedhur në fushë lojtarë nga stoli, por ndeshja tashmë e kishte marrë drejtimin duke u administruar nga skuadra vendase, e cila duke pasur në fushë një Levandovski, më i miri në fushë për të dyja skuadrat, shënon një tjetër gol në portën e Berishës, por ai bëhet i pavlefshëm nga flamuri i ngritur nga anësori për pozicion jashtë loje.

Minutat në vazhdim janë një shthurje totale e përfaqësueses tonë, e cila jo vetëm që nuk është në gjendje të reagojë, por pëson edhe golin e katërt një minutë nga fundi i kohës së rregullt me autor Linetin që vulos shifrat 4 me 1 për Poloninë, e cila regjistron fitoren e dytë në këto 4 ndeshje të para.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img